Çmimet e Panairit të 15 të Librit Tirana 2012

Siç edhe është bërë traditë, Shoqata e Botuesve Shqiptarë, organizatore e këtij panairi, prej gati 10 vitesh jep edhe çmimet e Panairit të Librit. Duke filluar nga Panairi i vitit të kaluar, Shoqata e Botuesve Shqiptarë mendoi që puna për dhënien e çmimeve tradicionale të Panairit t’i besohej një Jurie profesioniste, duke rritur besueshmërinë e operatorëve të sektorit. Juria e këtij viti përbëhej nga zonjat Arta Marku, Dhurata Shehri, Mirela Kumbaro dhe zz. Fatos Baxhaku e Parid Teferiçi dhe filloi punën që në ditët e para të muajit qershor.

Ceremonia e Ndarjes së Çmimeve të Panairit u zhvillua ditën e diel, më 18 nëntor në orën 18:00, me praninë e Ambasadores së Francës Christine Moro, drejtoreshës së Institutit Italian të Kulturës, Fulvia Veneziani, diplomatëve e politikanë të tjerë. Për këtë vit, Juria përzgjodhi më të mirët mes rreth 70 kandidaturave të ofruara nga botuesit dhe u dhanë këto çmime:

Përkthyesi i Vitit: Rudi Erebara, për përmbledhjen poetike, “Tek era e kam shpëtimin”, me motivacionin për guximin në përcjelljen në shqip të një autori të vështirë, por emancipues.

Përkthyesi më i mirë nga gjuha frënge: Orgest Azizi për përkthimin e vëllimit të parë të librit “Historia e seksualitetit” të Michel Foucault, për cilësinë e interpretimit të koncepteve filozofike të një vepre.

Çmimi special i jurisë: Aleko Minga për sjelljen në shqip të librit “Simfonia e numrave të thjeshtë” të Markus du Sautoy, me motivacionin “si stacion domethënës në rrugën e tij për popullarizimin e shkencës”.

Çmimi Autori i Vitit: Artan Fuga për librin “Rënia e qytetit”, për mënyrën e re se si e shkruan qytetin si koncept, si jetesë dhe si metamorfozë.