Panairi i Librit “Leipzig 2013″

Nga data 14-17 mars u zhvillua Panairi i Librit “Leipzig  2013”. Edhe këtë vit Panairi i Librit në Leipzig (Leipziger Buchmesse), i dyti në Gjermani për nga madhësia, pas atij të Frankfurtit, por edhe ndër më të rëndësishmit në rrafshin kulturor të Europës, hapi dyert për të pritur autorë e botues nga dhjetëra vende, e veç të tjerëve, edhe pjesëmarrës nga Shqipëria. Panairi i Librit i Leipzigut është një ngjarje me një rëndësi të veçantë kulturore në pasqyrimin e letërsisë së re shqipe dhe të veprimtarisë librore në vendin tonë, pasi një veprimtari e tillë bën të mundur njohjen e kulturës dhe letërsisë sonë përtej kufijve të Shqipërisë. Vendi ynë u përfaqësua për të katërtin vit radhazi me një stendë kolektive nga një grup prej dhjetë vetash, autorë e botues, të organizuar nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë.

Grupi i punës përzgjodhi për këtë vit katër autorë, përzgjedhje e cila u bë duke pasur parasysh vlerësimet gjatë Panairit të Librit të Tiranës, por natyrisht edhe meritat, kontributin dhe perspektivën e tyre. Prof. Artan Fuga ishte fitues i çmimit Autori i Vitit në Panairin e 15 të Librit të Tiranës; ndërsa Visar Zhiti (që u përzgjodh në nëntor 2012 si shkrimtar me kontribut të njohur në letërsinë shqipe), në janar të 2013 u shpall fitues i Çmimit Kombëtar të Letërsisë, nga MTKRS. Një element i rëndësishëm në përzgjedhje ishte botimi i veprave në gjuhën gjermane, siç është rasti i shkrimtareve Lindita Arapi dhe Alma Papamihali, që në të njëjtën kohë janë edhe gjermanishtfolëse.

Gjatë katër ditëve të këtij Panairi, duke filluar nga data 14 mars, ditë e cila shënoi dhe hapjen e Panairit të Leipzigut për këtë vit, e deri më 17 mars, autorët shqiptarë ishin pjesë e paneleve të diskutimeve rreth temave që kanë të bëjnë me letërsinë, me problematikat dhe vështirësitë që ndesh ajo dhe shkrimtarët që jetojnë dhe krijojnë sot, në epokën e rrjeteve sociale. I tillë ishte diskutimi me temë Të jetosh dhe të shkruash në epokën e rrjeteve sociale. Pyetje shqetësuese rreth veprimtarisë letrare të ditëve tona, një panel shkrimtarësh, mes të cilëve edhe Visar Zhiti, ku u shkëmbyen ide e u përzjenë e përballën kultura.

Një hapësirë e veçantë e panelit të diskutimit me temë Si të shkruajmë në ditët tona, diskutim i cili u zhvilluan në datën 14 mars, ora 14.00, iu rezervua prof. dr. Artan Fugës dhe dy studiuesve nga Maqedonia e Mali i Zi. Një diskutim dhe shkëmbim idesh e përvojash, i cili filloi me moderimin e zotit Hansjorg Brey dhe pastaj u lexuan në gjermanisht disa faqe nga libri i prof. Fugës, “Rënia e Qytetit”. Mesazhi i librit dhe idetë e librit u mirëpritën dhe zgjuan interesimin e dëgjuesve kureshtarë e të zellshëm, të cilët vazhduan të dëgjonin me kërshëri fjalët e prof. Fugës, që përcilleshin gjermanisht nga Lindita Arapi. Një diskutim i cili u prit me duartrokitje të forta e që arriti sukses të padiskutueshëm.

Pjesë aktive e diskutimeve, por këtë herë mes botuesish, siç ishte ai i 15 marsit, me temë Përvoja midis botuesve dhe agjentëve kulturorë nga Shqipëria, Krocia dhe Hungaria, u bënë edhe dy botuesit shqiptarë: Frano Kulli dhe Benet Koleka.

Në datën 16 mars u zhvillua ajo që quhet Nata Ballkanike, pjesë e të cilës ishin shkrimtarë të njohur nga Ballkani, e midis tyre Lindita Arapi e Visar Zhiti. Një natë e gjatë, e magjishme, në ambientet e UT Connewitz, një prej teatrove më të vjetër të Europës, të cilit ia shtojnë edhe më shumë emocionet dhe hijeshinë zëri burrëror i aktorit teksa lexon vargje nga poezitë e Visar Zhitit apo Lindita Arapit.

Përveç aktiviteteve e takimeve të organizuara, autorët patën mundësi të takoheshin me botues nga vende të ndryshme, me agjentë letrarë dhe shkrimtarë të tjerë. Pjesëtarët e grupit tonë në Leipzig morën pjesë gjithashtu në dhjetëra veprimtari që zhvilloheshin në Panairin e Librit dhe patën mjaft shkëmbime mendimesh dhe krijuan kontakte e lidhje të reja. Kjo pjesëmarrje ishte mjaft e frytshme edhe për paraqitjen e mirë që iu bë kulturës dhe letërsisë shqipe si dhe prirjeve të e reja të shkrimit shqip. Kjo pjesëmarrje ishte në shërbim të kulturës shqiptare, si një përpjekje e suksesshme për të paraqitur një pjesë të kulturës sonë në këtë dritare të bukur, siç është Panairi i Librit i Leipzigut.

 

Programi i Panairit