Librat plagjiature – shkrim i Z. Petrit Ymeri ne gazeten Mapo (19.09.2013)

Pirateria që po vret librin në Shqipëri

- Çfarë bëjnë zyrat e shtetit, po institucionet e huaja në vendin tonë?!

Para disa ditësh duke ndjekur një bisedë të publicistit Blendi Fevziu, më bëri përshtypje një detaj: Rai 3 i kishte kërkuar leje që në një emision të Fabio Volos (për ata që nuk e dinë: gazetar dhe shkrimtar mjaft i njohur) të përdornin një kronikë prej 40 sekondash nga “Opinion”. Vetëm 40 sekonda! Siç u shpreh edhe Fevziu, tek ne do ishte marrë e përdorur fare lirisht, pa pyetur fare, dhe këtë e dinë mirë të gjithë sesi merren kronikat dhe fotot, këngët e koncertet, por edhe dhjetëra filma apo ndeshje sportive që piratohen qetësisht në ekranet tona me pagesë apo pa pagesë. Por nuk është ky motivi i këtij shkrimi.
Dua të tërheq vëmendjen e lexuesit, e mundësisht të profesionistëve dhe aq më mirë të institucioneve për piraterinë e librit, që për fat të keq ka marrë forma e përmasa tronditëse në tregun e librit në shqip (jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë e më tej). Në forma, në përmasa dhe në dukuri të ndryshme.
Po bëhen 20 vjet që Shqipëria ka aderuar në Konventën e Bernës, me të gjitha detyrimet që parashkruhen. Edhe Kushtetuta e Shqipërisë deklarohet shprehimisht për mbrojtjen e të drejtës së autorit. Por cila është gjendja reale e respektimit ose më mirë të themi: e mosrespektimit të së drejtës së autorit në sektorin libror? Është katastrofike! Madje është më keq se dhjetë vjet më parë. Në saje të punës së madhe që bënë institucionet e vendit tonë në fund të viteve ’90 e në fillim të viteve 2000, u krijua një shtrat ligjor, u krijua një bindje, u krijua një klimë deri diku mbytëse ose sedre profesionale te shumica e botuesve. Pa dyshim, Shoqata e Botuesve Shqiptarë luajti një rol parësor në njohjen jo vetëm të legjislacionit europian e botëror të librit, por edhe të njohjes së përvojave më të mira europiane e më gjerë në respektim të të drejtave të autorit vendas e të huaj. Kontaktet e shumta me kolegë e institucione librore ndërkombëtare, pjesëmarrja në konferenca, seminare e veprimtari të tjera serioze ndërkombëtare ndihmuan në krijimin e forcimin e një profili profesional e ligjor. Si rrjedhim i punës këmbëngulëse që bënin botuesit shqiptarë në marrëdhënie me kolegët e tyre të huaj, me institucione e qendra librore, edhe në Shqipëri filloi të punohej me marrëveshje e kontrata profesionale, me autorët, me përkthyesit, me shtëpitë botuese apo agjencitë e huaja letrare. Por për fat të keq, gjatë viteve të fundit ndoshta edhe si pasojë e rritjes artificiale të subjekteve botuese (një pjesë e madhe e tyre shtypshkronja apo edhe subjekte të palicensuara) është rritur në mënyrë galopante numri i titujve, i veprave, i autorëve që piratohen. Këta të ashtuquajtur botues, agresivë sa që nuk pyesin as për kontrata, as për copyright-e, as për marrëveshje, as për ligje e rregulla, as për cilësi përkthimi e botimi, hedhin në mënyrë të paskrupullt në treg libra pa fund, me qëllimin e vetëm fitimin pa kushte e rregulla, si në një tokë djerrë, ku mund të mbillet misër a tërshërë, dardha e gorrica. Natyrisht, pavëmendja totale e institucioneve, e zyrave të shtetit, ka favorizuar pa fund këtë sëmundje. Pa dyshim edhe neglizhenca dhe indiferentizmi i librarive, e bibliotekave ka favorizuar këtë sëmundje. Tashmë askush nga operatorët e librit nuk çuditet që ndofta gjysma e titujve që janë nëpër libraritë apo kioskat tona, janë libra piratë. Askush nuk habitet më se si autorë të njohur e të panjohur nga të gjitha gjuhët e kulturat e botës i propozohen lexuesit e librarive. Askush nuk çuditet tashmë që këta libra madje edhe propagandohen në ekranet e televizioneve, që bëjnë gjoja rekomandime profesioniste. Askush nuk çuditet më se si një gjoja botues, libër pas libri, autor pas autori bën rolin e cubit e nuk pyet për ligje e rregulla. Por këta cuba nuk janë një a dy, ata janë shumë. Janë shumë më shumë se botuesit profesionistë që jo papritur janë fare në minorancë. Në këtë kurth bien edhe rubrika reklamuese në televizione të njohura, ku do dëgjosh lloj-lloj emrash të këtyre ofiçinave botuese. Para pak muajsh u bë i njohur botimi pirat i veprës së shkrimtarit të shquar rus Shollzhenicin “Arkipelagu Gulag” nga një shtëpi botuese në Tiranë. Çështja është jo që botuesi nuk e dinte se duhej marrë leje botimi, por ai këmbëngulte që mund të botohej pa leje. Ai guxoi ta botonte, ta promovonte, ta propagandonte e të sfidonte: ja ku jam unë, botuesi pa leje i Shollzhenicinit! Ç’është më e rënda, ai që u tërhoq ishte botuesi tjetër që po kontraktonte me shtëpinë botuese “Fayard”. Tjetri që u tërhoq ishte përkthyesi që do e sillte Sollzhenicinin nga rusishtja në shqip, për t’ia lënë vendin versionit të dyshimtë nga anglishtja në shqip që vazhdon të shitet në libraritë tona! Dikush do të thotë: u ankua “Fayard” por ç’ndodhi? Asgjë nuk ndodhi. Ndoshta edhe shtëpitë e mëdha botuese tërhiqen si ndaj një gjëje që nuk ia vlen të merresh, sepse dashur pa dashur po marrim edhe damkën e deles së zezë, damkën e piratit. Ja ç’na thotë z. Neshat Tozaj më 2007: “… në një letër dërguar kryeministrit Berisha nga CISAC dhe BIEM, dy organizatat më të fuqishme ndërkombëtare për të drejtën e autorit, është shkruar: “Shqipëria është një njollë e zezë në hartën e të drejtës së autorit në Evropë”! Mjaft e rëndë kjo që po ndodh. Sepse tek ne nuk është më çudi që piratohen shkrimtarë të mëdhenj, si Alesandro Baricco, Milan Kundera, Shollzhenicin, Inalçik, Corbusier, Shandor Maraji, por edhe vendas si Vedat Kokona apo Shaban Demiraj e shumë të tjerë, të njohur shumë a pak. Pesë vepra të Milan Kunderës janë piratuar në gjuhën shqipe, por kaq ose më shumë të Alessandro Bariccos, e kështu me radhë. Çfarë sjell kjo? Sjell që shumë autorë, shtëpi botuese apo agjensi letrare t’u vënë vizë marrëdhënieve kontraktuale dhe profesionale me botuesit shqiptarë. U desh disa vjet që trashëgimtarët e Xhojsit ta rikonsideronin ndalimin që i kishin bërë botimit të Xhojsit në gjuhën shqipe. Po kështu edhe me veprat e Kunderës. Disa botuesve shqiptarë iu janë dashur vite këmbënguljesh për të rifituar edhe një herë mundësinë për ta botuar Kunderën në gjuhën shqipe. Besoj se ju kujtohet të gjithëve këmbëngulja e ambasadës gjermane për të ndaluar veprën famëkeqe të kreut nazist që botohej dhe “krenohej” në vitrinat e Tiranës. Në mos gabohem, vetë ambasadorja gjermane, vuri afate dhe kushte me qëllimin për ta ndaluar, por asgjë nuk ndodhi (madje, libri u shit nga dy “botues” të ndryshëm). Kryeneçësia trimërore, ta quajmë e botuesit ishte mbi çdo gjë tjetër. Po çfarë bëri prokuroria shqiptare, çfarë bëri Zyra shqiptare e të drejtave të autorit në këtë rast, me të drejtën ligjore për të ndërhyrë të dyja në bazë të ligjit? Nuk dimë çfarë bënë, por dimë që asgjë nuk ndodhi.
Një histori më vete, një pamje më vete për nga pranimi në heshtje i asaj që ndodh prej vitesh e vitesh, është çështja e librave universitarë. Grabiten, përdoren e përzihen, gatuhen sheshazi e pa asnjë skrupull moral, pa frikë e pa turp, vendosen emrat e pedagogëve vjedhacakë, që jo vetëm përvetësojnë librin, por edhe e zhbëjnë emrin e autorit. Apo të tjerë që përkthejnë keqasi apo verbtazi me shumë duar e këmbë (shpesh studentë në këmbim të favoreve) vepra të njohura e të panjohura, pa asnjë lloj lejeje apo kontrate. Kush i kontrollon këta libra, këta autorë, këta mësmidhënës të shkollave tona të larta? Kush i miraton, kush i vërteton falsitetin apo vërtetësinë e tyre? Sa raste ndalimi apo pezullimi, dënimi apo qortimi ka në departamente, dekanate apo rektorate për plagjiaturë? Asgjë nuk ndodh, të gjithë mbulojnë njëri-tjetrin. Këta libra që duan shumë vite pune e përvoje, mësuesit e shkollave tona të larta, por me nivel të ulët, i bëjnë si domatet e serave. “Do bëj tekstin tim, kam tekstin tim”, me profka të tilla kapardisen profesorkat e profesorucët, duke iu kundërvënë teksteve serioze që duhet t’u propozojnë realisht studentëve të tyre. Si është e mundur që lejohen ende në shkollat e larta tekste pa referenca profesionale dhe pa burime shkencore? Si është e mundur që pedagogët guxojnë të marrin jo vetëm tekste, por edhe qindra figura e ilustrime nga librat e arkitekturës, të ekonomisë e me radhë, i përkthejnë, i përshtasin duke përdorur emrat e tyre, i përziejnë duke shfytëzuar informacionet dhe dijet e të tjerëve dhe të gjithë heshtin. Heshtin jo vetëm për faktin që këto tekste të vjedhura sillen keq në shqip, në nivel didaktik dhe shkencor. Por edhe për faktin që kjo është një pasuri e tjetërkujt. Është tronditëse që askush nuk i mbron të drejtat e këtyre autorëve të vjedhur. Dëgjojmë që shoqatat e mbrojtjes së të drejtave të autorit interesohen edhe për muzikën që transmetohen në lokale dhe hotele, por këta dhjetëra autorë nga ShBA dhe vendet europiane që piratohen kush duhet t’i mbrojë? Padyshim dallojmë një projekt serioz që ka nisur prej disa vitesh UET me një numër të madh titujsh të përkthyer nga fusha të ndryshme, përvojë që do ishte mirë të organizohej, qoftë edhe me qëllim të administrimit të potencialeve intelektuale dhe ulje të shpenzimeve.
Dhe veç kësaj, si do të punojnë botuesit profesionistë, nëse librat e tyre, me kosto më të lartë, afërmendsh, shërbejnë vetëm si lëndë e parë për pedagogun, që gjendet në një terren të mrekullueshëm: “Oh, natyrisht, këto janë çështje që trajtoj edhe unë në librin tim” (pas pak muajsh)! Ose “janë libra shumë të gjerë këta, nuk janë për studentët tanë të …” (Megjithëse janë për studentë në universitete analoge, të huaja). Nuk po flas pastaj për faktin që titujt shkencorë merren pikërisht me këta lloj librash, ky është një aspekt i rëndësishëm, por objekt i institucioneve përkatëse. Shumë shpesh, nga “institucione botimi” të tilla, sidomos shtypshkronja që botojnë vetëm përkundrejt pagesës dhe pa e shpërndarë librin, dalin vepra që vetëm marrin ISBN, por kur ti i kërkon, për arsye të ndryshme, nuk i gjen, sepse janë shtypur vetëm në 10-20 kopje, aq sa janë anëtarët e jurive dhe ca pak kopje për të dhuruar.
A është normale që pothuajse çdo fakultet ka të atashuar jo fort larg tij (në mos ngjitur) dyqanet e fotokopjimit, ku në mes të ditës punon industria vjedhacake e shumëfishimit të librave universitarë? A është normale pranimi në heshtje (jo rrallë vetë pedagogët i dërgojnë aty) i teksteve të fotokopjuara në mënyrë integrale, nga dyqanet ku janë të afishuara listat analitike me librat që u ofrohen studentëve? Madje shpesh ato bëhen arkive të vërteta titujsh të skanuar (jo vetëm të fotokopjuar), ku librin e merr aty për aty!! A është normale që rektoratet apo dekanatet nuk thonë asnjë fjalë për këtë dukuri? Pse nuk ndodh kjo gjë me tekstet e vetë pedagogëve efektivë, por vetëm me librat që “nuk kanë zot”?! Si mund të pranohet kjo gjë kaq qetësisht nga gjithë sistemi ynë universitar? Bëjnë sikur nuk e dinë, apo nuk ka rëndësi deri sa nuk preket xhepi i tyre? Sigurisht që detyrimi është në radhë të parë i organeve financiare që duhet ta kontrollojnë e ndalojnë rreptësisht këtë vjedhje në mes të ditës, të penalizojnë të gjithë këtë veprimtari antiligjore e abuzive. Nga biseda me kolegë të huaj, del që ekziston ky problem edhe në vende të zhvilluara, por këto gjëra nuk bëhen në dritë të diellit, këto shtypshkronja apo kopisteri kanë herë pas here kontrolle të rrepta tatimore e ligjore me këtë synim.
Nuk mund të le pa përmendur që këta libra të piratuar, këto plagjiatura masive dëmtojnë edhe rregullat më minimale të tregut të lirë. Dëmtojnë edhe veprimtarinë serioze e ligjore të profesionistëve të sektorit. Kjo betejë deri tani është fituar nga piratët e hajdutët. Është mjaft e vështirë në kushtet tona të bësh një veprimtari botuese në mënyrë të rregullt, me kontrata, me pagesa, me cilësi përkthimi e botimi dhe krejtësisht tjetër gjë veprimtari pirate shtypshkrimi e kopjimi. Janë shumë, për fat të keq, këta botues apo shtypshkronja, apo distributorë “sypatrembur” e menaxherë të shkathët që janë strumbullarët e shumë piraterive, të shumë hajdutllëqeve të tjera që nuk duan t’ia dinë as për ligjin, as për rregullat. Dilema e madhe që po sillet në atmosferën e botimeve shqiptare tashmë është: të jesh profesionist e i ndershëm, apo të jesh hajdut e i kamur?!
Të gjithë e dimë që bota që na rrethon, pra bota fare pranë nesh, ecën me rregulla. Nëse duam të jemi pjesë e kësaj bote moderne, e teknologjisë, e librit, etj. duhet të respektojmë rregullat, të paguajmë për atë që kërkojmë të përdorim. Kjo duhet të vlejë për të gjithë përdoruesit. Sepse shpeshhere edhe ata që flasin shumë, duket se flasin për të tjerët, jo për veten. Të gjithë duhet të respektojmë ligjet e rregullat e asaj bote ku duam të jemi pjesë me të drejta e detyrime të barabarta. Mendoj se të gjithë bashkë duhet të krijojmë një rreth mbytës për këto veprimtari prvetësuese të punës së tjetrit, që nga sistemi botues, te shkollat e deri te organet tatimore. Kjo gjë ndodh në vendet e qytetëruara, kjo ndodh në Europë, ku nuk mund të hyjmë vjedhurazi e me pirateri intelektuale!

Petrit YMERI
Kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë

http://mapo.al/2013/09/19/pirateria-qe-po-vret-librin-ne-shqiperi/