Fushatë ndërgjegjësimi për çështjen e piraterisë në fushën e librave

Gjatë këtyre javëve të fundit Shoqata e Botuesve Shqiptarë ka filluar një fushatë ndërgjegjësimi për çështjen e piraterisë në fushën e librave.
Zoti Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve dhe drejtor i Sh. B. DITURIA ka pasur takime pikërisht për këtë problem me përfaqësues të institucioneve të akredituara në Tiranë.
Arsyeja kryesore e këtyre takimeve është tërheqja e vëmendjes së faktorit ndërkombëtar, të pranishëm në Shqipëri, rreth këtij shqetësimi mjaft të madh për komunitetin profesional të botuesve dhe ndihma e tyre, jo vetëm për presionin ndaj administratës shqiptare, por edhe asistenca e specializuar për këtë problem.
Fillimisht Zoti Petrit Ymeri pati një takim pune në selinë e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, me shefin e Delegacionit Europian z. Ettore Seqiu dhe me z. Clive Rumbold, sekretar i parë dhe znj. Ledia Muço, këshilltare ekonomike. Gjatë takimit u bisedua në një frymë mirëkuptimi e bashkëpunimi lidhur me probleme të ndryshme që ka sot sektori i botimeve në Shqipëri, veçanërisht shqetësimet në rritje për dukurinë e piraterisë e të informalitetit. Të dy palët ranë dakord për një bashkëpunim më të frytshëm në të ardhmen, për një ndihmë të palës europiane për mënjanimin e këtyre dukurive, përmes asistencës së specializuar si dhe për rrugët e përmirësimit dhe bashkëpunimin me administratën shqiptare dhe Shoqatën e Botuesve.
Në takimin me zotin Hubert le Forestier de Quillien, atashe i Kulturës dhe i Bashkëpunimit në Ambasadën e Francës në Tiranë, u diskutua për shkeljen e hapur të të drejtave të mjaft autorëve dhe botuesve francezë nga botuesit vendas. Kurse në bisedën që u zhvillua me zonjën Znj. Valerie O’Brien, përgjegjëse e marrëdhënieve me publikun në ambasadën e SHBA, u bisedua jo vetëm për shkeljen e të drejtave të autorëve nga SHBA, por edhe sidomos për dukurinë e plagjiaturës së teksteve universitarë të autorëve amerikanë, që për fat të keq përkthehen apo kompilohen për tregun shqiptar të librit. Gjatë këtyre takimeve u ra dakord edhe për ndërmarrjen e veprimeve konkrete e të përbashkëta dhe bashkërendimin e tyre me administratën shqiptare, por edhe me sjelljen e specialistëve të të drejtave të autorit, që të ndihmojnë për njohjen më të thellë të problemeve juridike dhe profesionale.