Raundi i tretë i Takimeve Konsultative të Bizneseve me Delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë mbi çështje të së Drejtës së Pronësisë Intelektuale

Në vazhdën e fushatës së ndërgjegjësimit për çështjen e piraterisë dhe informalitetit në fushën e librave, të intensifikuar sidomos muajt e fundit, Shoqata e Botuesve Shqiptarë ishte e ftuar ditën e enjte, datë 10 tetor 2013, të referonte në raundin e tretë të Takimeve Konsultative të Bizneseve me Delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë mbi çështje të së Drejtës së Pronësisë Intelektuale.
Takimi u zhvillua në Zyrat e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, me pjesëmarrjen e Ambasadorit Z. Ettore Sequi dhe përfaqësues të tjerë të Delegacionit Europian si z. Clive Rumbold, sekretar i parë, znj. Ledia Muço, këshilltare ekonomike, dhe përfaqësues të tjerë të organizatave të ndryshme në Shqipëri, për të cilat mosrespektimi i të drejtës së Pronësisë Intelektuale përbën një nga sfidat më të mëdha që kërkon zgjidhje imediate.
Z. Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë dhe drejtor i përgjithshëm i Shtëpisë Botuese DITURIA, ishte folësi mysafir gjatë takimit, ku diskutoi në lidhje me probleme të ndryshme dhe sfidat e botuesve shqiptarë përsa i përket zbatimit të legjislacionit të së drejtës së autorit në Shqipëri.
Ambasadori i BE-së në Tiranë, zoti Ettore Sequi, me kolegët e tij shprehën mirëkuptimin dhe bashkëpunimin me Shoqatën e Botuesve Shqiptarë dhe ofruan asistencën në përmirësimin e kësaj situate.
Gjatë diskutimit të tij, z. Petrit Ymeri, vuri theksin mbi problemet e ndryshme që ka sot sektori i botimeve në Shqipëri, veçanërisht shqetësimet në rritje për dukurinë e piraterisë e të informalitetit dhe kërkoi bashkëpunimin dhe ndihmën e palës europiane për mënjanimin e këtyre dukurive, përmes asistencës së specializuar si dhe për rrugët e përmirësimit dhe bashkëpunimin me administratën shqiptare dhe Shoqatën e Botuesve.
Edhe nga diskutimet dhe ndërhyrjet e shumta që u bënë gjatë takimit u nënvizuan shumë probleme dhe u propozuan rrugë e mjete për përmirësimin e gjendjes e problemeve më të ndjeshme që shqetësojnë tregun shqiptar të librit.