Panairi i 16 i Librit “Tirana 2013″

 

Panairi i 16 i Librit “Tirana 2013″ u zhvillua në datat 13-17 nëntor në ambientet e Pallatit të Kongreseve. Ky panair mund të konsiderohet si ngjarja më e rëndësishme kulturore, jo vetëm në botën e librit, për gjithë hapësirën shqipfolëse, me pjesëmarrjen e shtëpive botuese dhe personaliteteve më të njohur të politikës e të kulturës në Shqipëri e më gjerë.
Në Panairin e Librit morën pjesë rreth 100 ekspozues, shtëpi botuese vendase e të huaja, institucione të arsimit të lartë dhe organizata të tjera që punojnë me librin. Pati një pjesëmarrje të gjerë të ambasadave e institucioneve të huaja në vendin tonë: Ambasada e ShBA, e Francës, e Spanjës, Instituti Italian i Kulturës, Qendra Gjermane në Tiranë dhe British Council.
Edicioni i 16 i Panairit të Librit Tirana 2013 u çel ditën e mërkurë, më 13 nëntor, ora 09:00 dhe ceremonia më 11:00. Në ceremoninë e hapjes përshëndetën kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, z. Petrit Ymeri, Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro, Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, z. Ettore Sequi, Ambasadorja e Francës në Tiranë znj. Christine Moro dhe Ambasadori i ShBA në Tiranë z. Alexander Arvizu.
Panairi i 16 i Librit u vizitua nga rreth 90 mijë vizitorë dhe u organizuan më shumë se 80 veprimtari librore si prezantime librash, promovime, panele të ndryshme e konferenca, takime të hapura, takime të autorëve të pranishëm me lexuesit etj. Vizitorët kryesisht ishin nga qyteti i Tiranës por me sigurinë më të madhe edhe mijëra e mijëra lexues, të organizuar ose shoqërisht e familjarisht të ardhur jo vetëm nga Durrësi, Shkodra e Korça, nga Prishtina e Tetova, nga Gjakova e Shkupi, por deri edhe nga Italia e Greqia.
Përpos veprimtarive promovuese, shkrimtarëve të pranishme në stendat e panairit, takimet e tyre me lexuesit dhe diskutimeve për problemet me librin shqip ndër profesionistët e fushës, edhe pse në një numër më të vogël se Panairin e vitit të kaluar, në këtë Panair Libri nuk munguan edhe titujt e rinj të autorëve shqiptarë e të huaj, si Fatos Kongoli, Besnik Mustafaj, Artan Fuga, Dashnor Kokonozi, Mirela Sula, Luljeta Lleshanaku, Jeton Kelmendi, Nasho Jorgaqi etj. I pranishëm në Panairin e 16-të të Librit “Tirana 2013” ishte edhe Bruno Vespa, autor i mbi 30 librave, një pjesë e madhe e të cilëve janë studime shumë serioze mbi historinë e politikës italiane dhe mbi personalitetet që kanë bërë historinë e Italisë.