Çmimet e Panairit të 16 të Librit “Tirana 2013″

Siç edhe është bërë traditë, Shoqata e Botuesve Shqiptarë, prej gati 11 vitesh jep edhe çmimet e Panairit të Librit. Juria e Panairit, e përbërë nga personalitete të kulturës si Dhurata Shehri, Saverina Pasho, Parid Teferiçi, Fatos Baxhaku dhe Arta Marku filloi punën që në ditët e para të muajit gusht.
Ceremonia e Ndarjes së Çmimeve të Panairit u zhvillua ditën e shtunë, më 16 nëntor në orën 13:00, në ambientet e sallës ovale të Pallatit të Kongreseve. Për këtë vit, Juria përzgjodhi më të mirët mes rreth 100 titujve të paraqitur si kandidatura për të fituar çmimin sipas kategorive e të gjitha llojeve si në poezi, prozë, esse, përkthim, studime etj.
Çmimet e akorduara ishin si më poshtë:

Autorja e vitit: Luljeta Lleshanaku, me librin me poezi “Pothuajse dje”

Përkthyesi i vitit: Astrit Beqiraj për shqipërimin e njërës prej veprave më të njohura të Kapushinskit, “Udhëtim me Herodotin”.

Çmimi për “Veprën studimore më të mirë”: Sabri Hamiti me librin studimor”At Zef Pllumi” me motivacionin në të cilin rigoroziteti dhe eleganca shoqërojnë përkufizimin e një figure madhore të letrave shqipe.

Çmimi për “Librin më të mirë për fëmijë: Gaqo Bushaka me librin “Pas festës së Abetares”, me motivacionin se bashkon aftësitë dëfryese me vlerat didaktike. Ky çmim iu rikthye listës së fituesve në këtë edicion të panairit pas disa viteve mungesë.

Çmimi për përkthyesin më të mirë të veprës së A. Kamysë: Petrit Sinani me “Miti i Sizifit”, një tjetër çmim ky që iu shtua emrave të sivjetshëm e që përkoi me 100-vjetorin e lindjes së filozofit të mirënjohur francez Albert Kamysë.

Çmimi “In Memoriam”: Hida Halimi, me romanin “Shpina” i vlerësuar nga juria për kthjelltësinë e fshehur dhe origjinalitetin e punës së saj.