Konferenca “Pirateria dhe Informaliteti po e vrasin librin”

Një aktivitet tjetër mjaft i rëndësishëm i këtij Panairi i organizuar nga Ambasada Franceze në Tiranë në bashkëpunim me Shoqatën e Botuesve Shqiptarë, ishte konferenca kushtuar autorit të mirënjohur francez Albert Camus, e mbajtur në datën 14 nëntor, ora 11:00, dhe e drejtuar nga profesori i letërsisë franceze në Universitetin e Sorbonës “Paris 3″ si dhe anëtar i P.R.E.S. Sorbonë “Paris Cité”, Jean-Yves Guérin, me rastin e njëqind vjetorit të lindjes së shkrimtarit të madh francez, Albert Camus.
Kjo ngjarje ishte edhe fokusi i stendës së Ambasadës Franceze në këtë edicion të 16-të të Panairit të Librit e cila këtë vit është edhe më tërheqëse se çdo herë tjetër. Pas konferencës së profesorit Jean-Yves Guérin, në stendën e ambasadës franceze u prezantua edhe një ekspozite interaktive mbi jetën dhe veprën e Albert Kamy-së. Portreti i shkrimtarit ishte pjesë e “dekorit” të këtij Panairi, një i madh që në hyrje ‘njoftoi’ vizitorin se ky është viti i Camus-ë.
Në datën 15 nëntor, ora 11:00, Shoqata e Botuesve Shqiptarë organizoi konferencën me temë “Pirateria dhe Informaliteti po e vrasin librin”, ku morën fjalën edhe Z. Ilir Meta, Kryetari i Kuvendit, Znj. Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës, Z. Petrit Ymeri, Znj. Mirlinda Çollaku, specialiste e së drejtës së autorit, Znj. Zjarrta Osmani, shefe e Zyrës së të Drejtës së Autorit në Kosovë, Z. Gëzim Tafa, drejtor i Shtëpisë Botuese Ombra GVG dhe z. Abdullah Zeneli, nga Shoqata e Botuesve të Kosovës dhe njëkohësisht drejtor i Sh. B. Buzuku, Prishtinë.
Një tjetër aktivitet i rëndësishëm që u zhvillua në kuadër të Panairit të 16 të Librit nga Ministria e Kulturës ishte edhe tryeza shumëplanëshe për problemet e përkthimit me temë “Trans/port – autori dhe përkthyesi ( i tij) “, që u zhvillua ditën e shtunë, 16 nëntor, në sallën ovale të Pallatit të Kongreseve. Kjo tryezë e librit u mbajt në drejtimin e Ministres së Kulturës, znj. Mirela Kumbaro Furxhi, me pjesëmarrjen e autoreve/përkthyesve.