ÇMIMI EUROPIAN PËR LETËRSINË 2014

- Çmimi më i rëndësishëm letrar ndërkombëtar për letërsinë shqiptare –

Është hera e parë që Shqipërinë renditet ndër vendet e përzgjedhura për të dhënë Çmimin Europian të Letërsisë, një çmim prestigjioz që starton qysh prej vitit 2009. Pra do të jepet një çmim europian për autorët shqiptarë, për letërsinë e re shqiptare. Komisioni Europian ka përzgjedhur Konsorciumin e këtij çmimi, të përbërë nga Federata e Botuesve Europianë, Këshilli i Shkrimtarëve Europianë dhe Federata e Librarëve Europianë të organizojnë këtë institucion tashmë të quajtur Çmimi Europian i Letërsisë.

Konsorciumi, i kryesuar nga Federata e Botuesve Europianë për koordinimin dhe për dhënien e këtij çmimi për vendin tonë ka përzgjedhur Shoqatën e Botuesve Shqiptarë, që ka një përvojë mbi 20-vjeçare plot veprimtari serioze.

Në Çmimin Europian të Letërsisë marrin pjesë gjithsej 37 shtete, të ndara në 3 grupe dhe që përzgjidhen njëherë në 3 vjet. Vendet e përzgjedhura për vitin 2014 janë: Shqipëria, Bullgaria, Republika Çeke, Greqia, Islanda, Letonia, Lihtenshtejni, Malta, Mali i Zi, Holanda, Serbia, Turqia dhe Britania e Madhe. Në këtë mënyrë edhe autorët shqiptarë do të kenë mundësinë të konkurrojnë për të fituar Çmimin Europian të Letërsisë shqiptare krahas shumë vendeve e kulturave të tjera europiane.

Ky proces ka filluar në mesin e muajit janar 2014 dhe në ditët e para të muajit shkurt u zhvillua një mbledhje profesionale në Bruksel, ku u dhanë udhëzimet përkatëse për ecurinë dhe mënyrën e drejtimit të punës për dhënien e këtij Çmimi në 13 vendet e përcaktuara për vitin 2014.

Në janar 2014 u përzgjodh edhe Juria Kombëtare për Shqipërinë e Çmimit Europian për Letrsinë, e përbërë nga 5 anëtarë: z. Petrit Ymeri, president i Jurisë, kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë dhe drejtor i Shtëpisë Botuese DITURIA; znj. Diana Çuli, shkrimtare; z. Moikom Zeqo, studiues; z. Bujar Hudhri, drejtor i Shtëpisë Botuese Onufri; znj. Mariana Misha – Drejtore menaxhimi e rrjetit te Librarive Adrion.

Në konferencën për shtyp të datës 13 shkurt 2014, ku u prezantua Çmimi ishin të pranishëm Ambasadori i BE në Tiranë Ettore Sequi dhe shumë autorë, botues, personalitete të kulturës etj. Në këtë konferencë ku përshëndeti z. Sequi dhe parashtroi programin kulturor të BE për Shqipërinëdhe z. Petrit Ymeri, kryetari i Jurisë shpalli kriteret bazë për përzgjedhjen e fituesit të këtij çmimi:

1. Autori i përzgjedhur duhet të jetë shtetas shqiptar.
2. Çmimi u jepet autorëve “talente të reja”, jo përsa i përket moshës, por krijimtarisë.
2- Autori i përzgjedhur duhet të ketë botuar 2-4 libra artistikë.
3- Librat duhet të jenë botuar brenda 5 vjetësh nga dhënia e çmimit (mund të ketë edhe ndonjë tolerim të vogël).
4- Veprat e autorit fitues nuk duhet të jenë përkthyer më parë në më shumë se 4 gjuhë të huaja.
5- Autorët duhet t’i kenë botuar librat e tyre pranë një shtëpie botuese, jo në mënyrë vetjake.
Pra edhe Juria inkurajon të gjithë botuesit dhe autorët që t’i paraqesin veprat kandidate nëpërmjet Botuesit.

13 fituesit për vitin 2014, do të shpallen për herë të parë gjatë ditëve të Panairit të Frankfurtit, ndërsa ceremonia zyrtare e ndarjes së Çmimeve do të zhvillohet në Bruksel në datën 18 nëntor. Në ceremoni do të marrin pjesë mbi 300 të ftuar, politikanë, zyrtarë të BE-së, botues, shkrimtarë, agjentë letrarë, media të ndryshme etj.

Ky çmim financohet nga Programi Kulturor i Bashkimit Europian dhe ka si qëllim kryesor promovimin e lëvizjes ndërkufitare të atyre që punojnë në sektorin kulturor, qarkullimin ndërkombëtar të outputit kulturor dhe artistik, si dhe nxitjen e dialogut ndërkulturor.

Falë këtij çmimi fituesit e deritanishëm kanë arritur të kenë lexues përtej kufijve kombëtarë dhe gjuhësorë, kanë vendosur kontakte në botën letrare dhe veprat e tyre janë përkthyer në shumë gjuhë. Kjo është një mundësi dhe një shtysë shumë e mirë edhe për autorët shqiptarë, por edhe për botuesit e tyre.