Panairi i 17 i Librit “Tirana 2014″

Më datë 12-16 nëntor 2014 hap siparin Panairi i Librit “Tirana 2014”. Ky është Panairi i 17 që zhvillohet radhazi në qytetin e Tiranës nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, e cila organizon Panairin e Librit të Tiranës qysh prej vitit 1998 dhe ka treguar tashmë se është një organizatore efikase e aktivitetit më të madh vjetor për librin, duke shënuar rezultate në rritje nga viti në vit, dhe duke siguruar kështu vijimësinë e Panairit të Librit të Tiranës dhe përkrahjen e gjerë të tij.
Organizimi i tij është ngjarja më e madhe kulturore në pasqyrimin e veprimtarisë librore që zhvillohet jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por në gjithë hapësirën shqiptare: Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi dhe diasporë. Panairi i Librit do të shndërrohet në një ngjarje të rëndësishme kulturore për botën shqiptare, që do të ketë si objekt paraqitjen e botimeve më të mira të hedhura në qarkullim në harkun kohor të një viti nëntor 2013-nëntor 2014.
Ky panair do të bashkojë të gjithë njerëzit që merren me letrat shqipe: autorët, botuesit, lexuesit, përkthyesit, përfaqësuesit e shtypit dhe të medias etj, me synimin për të krijuar e zhvilluar kontakte tradicionale midis tyre, duke synuar promovimin dhe nxitjen e leximit në masat e gjera, veçanërisht te të rinjtë, në kushtet e mungesës së sistemit të shpërndarjes së librit në vendin tonë.
Panairi i 17 i Librit do t’i dedikohet 200-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të shquar Jeronim de Rada, duke filluar që nga hyrja e Pallatit të Kongreseve, ku do të vendoset një portret i De Radës, dhe deri te aktivitetet e shumta që do zhvillohen gjatë 5 ditëve të Panairit.
Gjithashtu, krahas çmimeve tradicionale të përvitshme të Panairit, këtë vit Juria e Panairit do të japë edhe Çmimin e madh Jeronim de Rada, që do të jetë edhe kurorëzimi i veprimtarive për De Radën.
Në Panairin e 17 të Librit do të marrin pjesë rreth 100 shtëpi botuese vendase e të huaja, institucione të arsimit të lartë, dhe organizata të tjera që punojnë me librin. Në këtë Panair do të ketë një pjesëmarrje të gjerë të ambasadave e institucioneve të huaja në vendin tonë, duke i dhënë kësaj ngjarjeje kaq të rëndësishme për vendin tonë një karakter ndërkombëtar.
Ky Panair do të shndërrohet në një panel të rëndësishëm diskutimi për artin dhe kulturën.