Fituesit e Çmimit Evropian për Letërsinë 2014 të shpallur në Panairin e Librit në Frankfurt

Fituesit e Çmimit Europian për Letërsinë u shpallën sot në Panairin e Librit në Frankfurt. Çmimi vlerëson autorët më të mirë të rinj dhe në fillimet e karrierës së tyre në Evropë. Fituesit e këtij viti janë: Ben Blushi (Shqipëri), Milen Ruskov (Bullgari), Jan Němec (Republika Çeke), Makis Tsitas (Greqi), Oddný Eir (Islandë), Janis Jonevs (Letoni), Armin Öhri, (Lihtenshtejn), Pierre J. Mejlak (Maltë), Ognjen Spahić (Mali i Zi), Marente de Moor (Holandë), Uglješa Šajtinac (Serbi), Birgül Oğuz (Turqi) dhe Evie Wyld (Mbretëria e Bashkuar).
Çmimi Europian për Letërsinë (EUPL) është i hapur për vendet pjesëmarrëse në Creative Europe, programi i financuar nga BE-ja për sektorët kulturorë dhe krijues. Çdo vit, juritë kombëtare në një të tretën e vendeve, kësaj radhe 13, propozojnë autorët fitues. (për më tepër shikoni memon për biografitë e autorëve dhe një përmbledhje të librave fitues http://www.euprizeliterature.eu/)
“U jap urimet e mia më të përzemërta fituesve të Çmimit Europian për Letërsinë”, tha Androulla Vassiliou, Komisionere Europiane për Arsimin, Kulturën, Shumëgjuhësinë dhe Rininë. “Çmimi u kushtohet autorëve më të mirë të rinj dhe në fillimet e karrierës së tyre në Europë, pavarësisht nga vendi i tyre i origjinës apo gjuha. Qëllimi është të prezantohet letërsia më e mirë bashkëkohore e Europës, të inkurajohen shitjet përtej kufijve dhe t’u jepet shtysë përkthimit, publikimit dhe leximit të letërsisë nga vendet e tjera. Programi i ri i BE-së Creative Europe ofron grante për përkthimin, duke i ndihmuar autorët të tërheqin lexues përtej kufijve kombëtarë dhe gjuhësorë”.
Secili fitues merr 5000 €. Por ajo që është më e rëndësishme është se ata përfitojnë nga promovimi i veçantë dhe prezantimi në nivel ndërkombëtar. Botuesit e tyre inkurajohen të aplikojnë për fonde nga BE-ja që librat fitues të përkthehen në gjuhë të tjera për të hyrë në tregje të reja.
Që prej fillesave të Çmimit në vitin 2009, BE-ja ka siguruar financime për përkthimin e librave të 56 fituesve (nga 59 të tillë) të EUPL, në 20 gjuhë të ndryshme europiane, duke mbuluar një total prej 203 përkthimesh, mesatarisht 3-4 përkthime për libër. Fituesit përfitojnë gjithashtu nga prezantimi i veçantë në panairet kryesore të librit në Europë, përfshirë atë të Frankfurtit, Londrës, Goteborgut dhe Passaporta Festival në Bruksel.
Çmimet e këtij viti do t’u prezantohen fituesve gjatë një ceremonie gala në Concert Noble në Bruksel më 18 nëntor, në praninë e Komisioneres Europiane për Arsimin dhe Kulturën, anëtarëve të Parlamentit Europian dhe përfaqësuesve të Presidencës Italiane të BE-së.
EUPL organizohet nga Komisioni Europian në bashkëpunim me Federatën Europiane të Libërshitësve, Këshillin Europian të Shkrimtarëve dhe Federatën e Botuesve Europianë.
Historiku

EUPL financohet nga programi i ri Creative Europe, i cili synon të forcojë aftësinë konkurruese të sektorëve kulturorë dhe krijues, si dhe të promovojë diversitetin kulturor. Programi i ri do të ketë një buxhet total prej 1,46 miliardë eurosh për vitet 2014-2020, që përbën një rritje prej 9% krahasuar me nivelet e mëparshme. Programi do të sigurojë financim për përkthimin e 4500 librave. Gjithashtu, ai do t’u japë mundësinë më shumë se 250 000 artistëve, profesionistëve të fushës së kulturës dhe veprave të tyre që të fitojnë prezantim në nivel ndërkombëtar, si edhe do të mbështesë qindra projekte, platforma dhe rrjete të bashkëpunimit kulturor europian.
Gjatë Programit Kulturor të mëparshëm në vitet 2009-2013, Komisioni Europian dha 2,5 milionë euro në vit mesatarisht për përkthime letrare dhe më shumë se 2,4 milionë euro për projekte bashkëpunimi që përfshinin sektorin e librit. Në vitin e tij të parë 2014, programi i ri Creative Europe ka caktuar 3,6 milionë euro për përkthimet letrare.
Industria e librit dhe e botimeve kontribuon me 23 miliardë euro në PBB-në e BE-së dhe punëson 135 000 persona me kohë të plotë. Botimi i librit është një pjesë e rëndësishme e sektorëve kulturorë dhe krijues, që përbën deri në 4,5% të PBB-së së BE-së dhe më shumë se 8 milionë vende pune. Megjithëse këta sektorë kanë rezultuar relativisht elastikë gjatë periudhës së krizës, ata përballen gjithashtu edhe me sfida të konsiderueshme si rrjedhojë e zhvendosjes në platformën dixhitale, globalizimit dhe një tregu të fragmentuar përgjatë linjave kulturore dhe gjuhësore.
Vendet aktualisht pjesëmarrëse në Creative Europe janë: 28 shtetet anëtare të BE-së, Norvegjia, Islanda, Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia. Pritet që më shumë vende të bashkohen prej vitit 2015.
Për më shumë informacion

Uebsajti i çmimit: http://www.euprizeliterature.eu/
Portali kulturor i Bashkimit Evropian http://ec.europa.eu/culture