Panairi i 19 i Librit “Tirana 2016″

Panairi i 19 i Librit “Tirana 2016″ u zhvillua në datat 09-13 nëntor në ambientet e Pallatit të Kongreseve. Ky panair konsiderohet si ngjarja më e rëndësishme kulturore, jo vetëm në botën e librit, për gjithë hapësirën shqipfolëse, me pjesëmarrjen e shtëpive botuese dhe personaliteteve të njohur të kulturës në Shqipëri e më gjerë.

Në Panairin e Librit morën pjesë rreth 100 ekspozues, shtëpi botuese vendase e të huaja, institucione kulturore dhe të arsimit të lartë dhe organizata të tjera që punojnë me librin. Pati një pjesëmarrje të gjerë të ambasadave e institucioneve të huaja në vendin tonë: Ambasada e ShBA, Panairi i Librit i Pekinit, Ambasada e Norvegjisë, Instituti Italian i Kulturës, Qendra Kulturore Junus Emre, Ambasada e Izraelit, etj.

Edicioni i 19 i Panairit të Librit Tirana 2016 u çel ditën e mërkurë, më 09 nëntor, ora 09:00 dhe ceremonia më 11:00. Në ceremoninë e hapjes përshëndetën kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, z. Petrit Ymeri dhe shkrimtarët z. Besnik Mustafaj, znj. Flutura Açka, z. Parid Teferiçi.

Panairi i 19 i Librit u shndërrua në një ngjarje të rëndësishme kulturore për botën shqiptare, që kishte si objekt paraqitjen e botimeve më të mira të hedhura në qarkullim në harkun kohor të një viti nëntor 2015-nëntor 2016.

Një nga ngjarjet kryesore, qe tërhoqi vëmendjen e kritikës, medias ishte Konferenca Përkthimi dhe botimi nga letërsitë e gjuhëve “pak të përhapura” që u zhvillua më 10 nëntor, në orën 10.00, konkretisht për letërsinë nga gjuhët serbokroate, sllovene, greke, rumune, polake, gjermane në shqip (si gjuhë “pak e përhapur”), etj.

Në një panel te zgjedhur me kumtues përkthyes dhe njohës të mirë të letërsive të vendeve përkatëse (shkrimtari dhe përkthyesi Virgjil Muçi, përkthyesi Astrit Beqiraj, botuesi Gëzim Tafa, përkthyesi Nikollë Berishaj, përkthyesi Edvin Cami, shefe e Departamentit të Gjuhëve Sllave dhe Ballkanike Sofia Delijorgji, studiuesja Mariana Ymeri, kritiku Ilir Baçi etj.) çështjet kryesore që u diskutuan ishin: Sa botohet letërsia nga “gjuhët pak të përhapura” ose me qarkullim te vogël në shqip? A janë autorët më të mirë që e përfaqësojnë këtë letërsi? Nga vjen përkthimi, nga origjinali apo gjuhë të dyta a të treta? etj.

Në Konferencë u theksua që vitet e fundit është rritur ndjeshëm numri i botimit të titujve nga këto letërsi, rezultat edhe i politikave kulturore të vendeve përkatëse, që e promovojnë me mbështetje financiare letërsinë e tyre, pra, përgjithësisht është botim i asistuar në shqip. Në konferencë pati diskutime nga përkthyes të tjerë, nga gazetarë dhe lexues. Merrnin pjesë edhe shumë studentë të gjuhëve ballkanike nga Fakulteti i Gjuhëve të huaja. Konferenca pati jehonë në media televizive dhe në shtypin e shkruar.

Në datën 11 nëntor, ora 11:00, Shoqata e Botuesve Shqiptarë në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës Popullore të Kinës dhe Shtëpinë Botuese të Gjuhëve të Huaja në Pekin, organizoi aktivitetin e prezantimit të projektit të Përkthimit dhe Botimit të letërsisë kineze në shqip dhe letërsisë shqipe ne gjuhen kineze. Në këtë takim, ku ishin të pranishme ambasadorja e Kinës në Shqipëri znj. Jiang Yu dhe zëvendës Presidentja e Shtëpisë Botuese të Gjuhëve të Huaja në Pekin, znj. He Haoyu, u bë edhe prezantimi i librit të parë të këtij projekti në shqip, Historia e Kinës, botim i shtëpisë botuese DITURIA.

Gjatë këtyre pesë ditëve krahas aktiviteteve të sipërpërmendura, pati edhe mjaft aktivitete të tjera të programuara nga shtëpi botuese pjesëmarrëse në Panair dhe jo vetëm. Gjatë ditëve të Panairit pati të ftuar specialë, shqiptarë dhe të huaj, të cilët ishin të pranishëm për të prezantuar librat e tyre dhe siç e do tradita, edhe për të lënë një shënim për lexuesit e tyre.

Panairi i 19 i Librit u vizitua nga rreth 90 mijë vizitorë dhe u organizuan më shumë se 60 veprimtari librore si prezantime librash, promovime, panele të ndryshme e konferenca, takime të hapura, takime të autorëve të pranishëm me lexuesit etj. Vizitorët kryesisht ishin nga qyteti i Tiranës por edhe mijëra e mijëra lexues, të organizuar ose shoqërisht e familjarisht të ardhur jo vetëm nga Durrësi, Shkodra e Korça, nga Prishtina e Tetova, nga Gjakova e Shkupi, nga Ulqini, Tuzi, por deri edhe nga Italia e Greqia.

Përpos veprimtarive promovuese, shkrimtarëve të pranishëm në stendat e panairit, takimet e tyre me lexuesit dhe diskutimeve për problemet me librin shqip ndër profesionistët e fushës, në këtë Panair Libri nuk munguan edhe titujt e rinj të autorëve shqiptarë e të huaj.

Siç edhe është bërë traditë, Shoqata e Botuesve Shqiptarë, dha edhe çmimet e Panairit të Librit. Juria e Panairit, e përbërë nga personalitete të kulturës si Prof. Lili Sula, Dr. Shk. Tonin Çobani, studiuesi Agim Baçi, gazetarja e kulturës Alida Cenaj, përkthyesi Jorgji Qirjako filloi punën që në ditët e para të muajit gusht.

Ceremonia e Ndarjes së Çmimeve të Panairit u zhvillua ditën e shtunë, më 12 nëntor në orën 12:00, në ambientet e sallës ovale të Pallatit të Kongreseve.

Çmimet e akorduara ishin si më poshtë:

            Çmimi për autorin më të mirë të vitit: Agron Tufa me vëllimin poetik “Kafsha apo fantazma”, me motivacionin: “Për një perceptim origjinal, intelektual dhe emocional të mbrujtjes së hapave të Njeriut, të cilat artikulohen artistikisht mes trajtave moderne poetike”.         

            Çmimi për përkthimin më të mirë: Edvin Cami për përkthimin e romanit “Dru qershije dhe ndjenja të vjetra” të autores Marica Bodroziç me motivacionin: “Për shqipërimin mjeshtëror të një letërsie sa ballkanike aq edhe të përbotshme, që sjell njeriun përballë vetes e të tjerëve, në kërkim të identitetit në një botë plot ndryshime”.

            Çmimi për letërsinë për fëmijë: Luan Rama, me motivacionin: “Rrëfim emocional i figurave njerëzore, si model frymëzues për lexuesit e vegjël”.