Panairi i 21 i Librit “Tirana 2018″

Panairi i Librit “Tirana  2018” (14-18 nëntor), është Panairi i 21 që zhvillohet radhazi në qytetin e Tiranës. Synimi ynë është të përgatisim një aktivitet me një nivel edhe më të lartë. Panairi i Librit, si zakonisht, do të jetë një ngjarje e rëndësishme kulturore për botën shqiptare, jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por në gjithë hapësirën shqiptare: Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi dhe diasporë. Ai do të ketë si objekt kryesor paraqitjen e botimeve më të mira të hedhura në qarkullim vitin e fundit. Ky panair do të bashkojë të gjithë njerëzit, puna e të cilëve ka në epiqendër librin: autorë, botues, përkthyes, përfaqësues të shtypit dhe medias me qëllim zhvillimin e kontakteve midis tyre dhe promovimin e leximit në publikun e gjerë, veçanërisht te të rinjtë. Ky panair do të shndërrohet edhe në një panel të rëndësishëm diskutimi për artin dhe kulturën.