Panairi i Librit “Leipzig 2012″

Nga data 15-18 mars 2012, u zhvillua Panairi i Librit në Lajpcig, ku kultura shqiptare u paraqit për të dytën herë radhazi në mënyrë të organizuar. Shoqata e Botuesve Shqiptarë punoi gjatë dhe me intensitet për të pasur një paraqitje sa më serioze dhe për të forcuar praninë e saj të dytë në këtë panair, i cili me devizën “Leipzig liest” (“Leipzigu lexon”) konsiderohet si festa më e madhe e lexuesve në Europë.

Grupi i punës përzgjodhi pesë autorë të njohur për të pasur një përfaqësim sa më dinjitoz të letërsisë dhe kulturës në Panairin e Leipzigut 2012: Helena Kadare (fituese e çmimit të parë në Panairin e Librit Tirana 2011), Lindita Arapi, Ermir Nika, Agron Tufa (fitues i disa çmimeve kombëtare) dhe Romeo Çollaku. Krahas autorëve dhe botuesve, këtë vit grupi organizator u kujdes që të ishin edhe një grup studiuesish nga Departamenti i Letërsisë i Universitetit të Tiranës (As. Prof. Dhurata Shehri, Dr. Shk. Persida Asllani, Dr. Shk. Lili Sula) e po ashtu dhe një grup muzikor i orkestrës simfonike të Radiotelevizionit Shqiptar.

Gjatë ditëve të panairit grupi ynë mori pjesë në shtatë aktivitete, që ishin panele të ndryshme, në të cilat u diskutua për aspekte të ndryshme të letërsisë shqipe, për lidhjen mes politikës dhe letërsisë, për letërsinë e shkrimtareve femra në Shqipëri e Kosovë etj. Mund të konsiderohet një pjesëmarrje mjaft e frytshme edhe për paraqitjen e mirë që u bë kulturës dhe letërsisë shqipe si dhe prirjet e reja të shkrimit shqip.

 

Programi i Panairit te Leipzigut 2012 

katalogu – Leipzig 2012