Panairi i 13 i Librit “Tirana 2010″

Panairi i 13 i Librit, Tirana 2010, u zhvillua në datat 11-15 nëntor 2010 në ambientet e Pallatit të Kongreseve, organizuar nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë. Aty morën pjesë botues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, si dhe autorë, përkthyes, publicistë e shumë personalitete të tjera të fushës kulturore. Panairi u çel më datë 11 nëntor 2010 nga Z. Kim Mehmeti, Prof. Dr. Sabri Hamiti, Prof. Dr. Aurel Plasari dhe nga Z. Petrit Ymeri.

Në këtë panair morën pjesë mbi 80 subjekte dhe librat u shitën me çmime të ulëta, që varionin nga -20 deri -50% të çmimit të kopertinës.

Në Panairin e 13 të Librit u ndanë këto çmime: Çmimet tradicionale të Panairit, më konkretisht 6 çmime: “Autori i vitit 2010″ u shpall Irakli Koçollari, me librin e tij Policia sekrete e Ali Pashës, ndërsa çmimi “Përkthyesi i vitit 2010″ shkoi për Jorgji Qirjakon me librin Vallja e tim eti e autorit Nikolas Papandreu. Ndërkaq, libri 3 vëllezërit, i autorit Bardhyl Xhaman, u vlerësua me çmimin “Libri më i mirë për fëmijë”, ndërsa çmimi “Libri më i mirë studimor”, një çmim i shtuar në panairin e këtij viti, shkoi për librin Martin Camaj-shkrimtarja e tij me autor Behar Gjokën. Çmimin special të panairit e mori Anastas Angjeli për librin e tij Tranzicioni dhe liria ekonomike në Shqipëri, ndërsa çmimin “Stenda më e mirë” e mori shtëpia botuese Mediaprint.

Gjatë ditëve të panairit u organizuan mbi 40 promovime librash e autorësh të rinj.

Panairi u vizitua nga më shumë se 70 mijë vizitorë. Panairin e Librit e vizituan edhe personalitete të kulturës e të jetës publike.

 

Katalogu i Panairit te 13 te Librit “Tirana 2010″