Panairi i 15 i Librit “Tirana 2012″

Panairi i 15 i Librit “Tirana 2012″, do të zhvillohet në datat 14-18 nëntor në mjediset e Pallatit të Kongreseve.

Kjo është ngjarja më e rëndësishme kulturore në botën e librit për gjithë hapësirën shqipfolëse, me pjesëmarrjen e shtëpive botuese dhe personaliteteve më të njohur të kulturës në Shqipëri e më gjerë.

Në këtë vit jubilar të 100-vjetorit të Pavarësisë, Shoqata e Botuesve Shqiptarë është përkushtuar që Panairi i 15 i Librit “Tirana 2012″ të reflektojë sa më mirë këtë ngjarje kaq të rëndësishme për historinë e kombit tonë.

Në Panairin e Librit do të marrin pjesë rreth 100 shtëpi botuese vendase e të huaja, institucione të arsimit të lartë, dhe organizata të tjera që punojnë me librin. Këtë vit në Panairin e Librit do të ketë një pjesëmarrje të gjerë të institucioneve ndërkombëtare. Gjithashtu, në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë janë ftuar të marrin pjesë me një stendë të tyre edhe Institucione Shtetërore të ndryshme si: Kuvendi i Shqipërisë, Arkivi Qendror i Shtetit, Biblioteka Kombëtare, etj.

Një ndër risitë e këtij panairi libri është fakti se në këtë vit jubilar të 100-vjetorit të Pavarësisë panairi do të shtrihet në 3 kate të Pallatit të Kongreseve, duke ofruar një hapësirë më të gjerë ekspozimi dhe pjesëmarrjeje për të gjithë të interesuarit.

Gjatë ditëve të Panairit do të organizohen aktivitete të ndryshme si prezantime librash, promovime, panele të ndryshme e konferenca, takime të hapura, takime të autorëve të pranishëm me lexuesit etj.

Krahas aktiviteteve të sipërpërmendura, një traditë është edhe akordimi i çmimeve të panairit. Ashtu si në panairin e vitit të kaluar, Çmimet e Panairit do të përcaktohen nga një Juri Profesioniste, e cila ka filluar nga puna që në ditët e para të muajit qershor. Çmimet që do të jepen këtë vit janë: Autori i vitit 2012; Përkthyesi i vitit 2012; Libri më i mirë për fëmijë 2012; Çmimi i veçantë i Jurisë (nëse gjykohet se ka të tillë).

Panairi i Librit pritet të ketë mbi 90 000 vizitorë dhe do të ndiqet rregullisht nga mbi 50 media e shkruar dhe elektronike.

 

katalogu i Panairit te 15 Librit 2012

katalog 2012